Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, zhvilloi sot një bashkëbisedim me studentët e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin LUMSA në Romë, në kuadër të temës “Ballkani midis demokracisë dhe diplomacisë”.
Ministrja Gërvalla theksoi se Ballkani është një rajon që ka kaluar nëpër dekada sfidash, konflikteve dhe transformimesh të thella, por që sot po ndërton me përkushtim rrugën e tij drejt konsolidimit demokratik dhe integrimit të plotë në familjen evropiane.
Ajo nënvizoi se Republika e Kosovës është shembulli më i qartë i këtij transformimi, një shtet që ka dalë nga lufta, ka ngritur institucionet e tij demokratike dhe sot ndjek një politikë të jashtme aktive, të orientuar fuqishëm drejt partneritetit euro-atlantik dhe vlerave perëndimore.
“Rrugëtimi ynë dëshmon se demokracia kërkon kohë, këmbëngulje dhe vullnet politik, ndërsa diplomacia është mjeti që e shndërron këtë vullnet në stabilitet dhe aleanca të qëndrueshme” theksoi Ministrja.
Derisa ka folur për marrëdhënien mes demokracisë dhe diplomacisë, Ministrja Gërvalla solli në vëmendje edhe rastin e Ukrainës, si një kujtesë e dhimbshme se Evropa ende përballet me rikthimin e agresionit dhe me sfida serioze ndaj rendit ndërkombëtar. “Për Kosovën, kjo është kujtesë e qartë se demokracia nuk është e garantuar dhe se diplomacia mbetet domosdoshmëri për paqen dhe sigurinë e kontinentit” tha Ministrja Gërvalla.
Në mbyllje të diskutimit, Ministrja Gërvalla falenderoi Rektorin Francesco Bonini, Prof. Tiziana Di Maio, Prof. Ignazio Ingrao, stafin akademik dhe studentët e Universitetit LUMSA për mikpritjen dhe diskutimin tejet konstruktiv.
Ajo theksoi rëndësinë që zëri dhe përvoja e Republikës së Kosovës të jenë pjesë e debateve akademike ku formësohet vizioni për Evropën e së ardhmes.





