Dogana e Kosovës ka njoftuar se dje më datë 17.11.2025, rreth orës 16:30, Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, gjatë zbatimit të një plani operativ në rajonin e Zubin Potokut, në fshatin Junake, kanë ndaluar një automjet që kishte hyrë në territorin e Republikës së Kosovës përmes vijës së gjelbër / rrugëve të paautorizuara.
Gjatë kontrollit të automjetit është konstatuar se transportoheshin rreth 600 kg djathë, veshmbatje tekstili dhe medikamente, me vlerë të përafërt rreth 7,000 euro, thuhet në njoftim.
Malli është sekuestruar dhe procedurat ligjore janë iniciuar sipas kompetencave të Doganës së Kosovës. Rasti po trajtohet në koordinim me organet hetimore për të përcaktuar të gjitha rrethanat dhe përgjegjësitë e mundshme.





