Dogana e Kosovës është e përkushtuar në ngritje të kapaciteteve në fushën e pronësisë intelektuale, duke e përgatitur stafin doganor për zbatim të drejtë dhe luftimin efikas të mallrave të falsifikuara dhe pirate.
Dogana e Kosovës ka realizuar një trajnim të specializuar për stafin doganor, me fokus në zbatimin sa më efikas të të drejtave të pronësisë intelektuale. Qëllimi kryesor i trajnimit ka qenë ngritja e kapaciteteve profesionale të zyrtarëve doganorë dhe forcimi i rolit të Doganës në parandalimin e hyrjes së produkteve të falsifikuara në tregun e brendshëm.
Në këtë trajnim morën pjesë edhe përfaqësues të autorizuar të markave të mirënjohura ndërkombëtare si: Lacoste, Gucci, Ariel, Domestos, Head & Shoulders, Nike dhe Apple, të cilët prezantuan nga afër mënyrat dhe teknikat e identifikimit të produkteve të falsifikuara. Kontributi i tyre ishte jashtëzakonisht i vlefshëm për ofrimin e njohurive praktike dhe shembujve konkretë nga përvojat ndërkombëtare.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit me përfaqësuesit e markave tregtare, institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe ekonomisë së vendit nga produktet e rrezikshme dhe të paligjshme.





