Task Forca, fillimisht produkt i bashkëpunimit të ngushtë bilateral Policia e Shtetit-partnerë britanikë, tashmë ka marrë një karakter gjithëpërfshirës rajonal dhe është shndërruar në një model suksesi për t’u ndjekur dhe nga shtetet e Europës.
Sesioni i rradhës në kuadër të Task Forcës, u zhvillua ditën e sotme, në Tiranë, dhe në të morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, Zëvendësdrejtoresha e Drejtorisë së Inteligjencës dhe Operacioneve Ndërkombëtare në Ministrinë e Brendshme të Britanisë së Madhe, znj. Vikki Pullen, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, Drejtori në detyrë i Policisë së Malit të Zi, z. Lazar Ščepanović, Drejtor i Përgjithshëm i Byrosë së Sigurisë Publike të Maqedonisë së Veriut, z. Aleksandar Janev, si dhe drejtues të lartë të policive rajonale.
Takimi i sotëm, dëshmi e angazhimit serioz dhe të vendosur të policive partnere në rajon dhe agjencive ligjzbatuese në Britani të Madhe, për të luftuar emigracionin e kundërligjshëm, i cili cenon sigurinë publike, krijon terren për paligjshmëri kufitare, si dhe mundëson lëvizjen e kontigjentin kriminal që synon t’i shmanget drejtësisë së shtetit ku ka ardhur pasoja e veprimtarisë së tij dhe qarkullimin ndërkombëtar të aseteve kriminale, përfshirë kriptomonedhat.
Gjatë takimit, u konsoliduan urat ekzistuese të bashkëpunimit, sa i përket shkëmbimit imediat të informacioneve, patrullimeve të përbashkëta në kufijtë e gjelbër, koordinimit të veprimeve operacionale në pikat e kalimit kufitar, intensifikimit të kontrolleve dhe dedektimeve me pajisje teknologjike bashkëkohore, si dhe krijimit të skuadrave të përbashkëta hetimore, veprime të cilat do të rezultojnë me finalizimin e operacioneve policore me impakt rajonal.





