Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se sa më shumë që presidentja e vonon shpalljen e datës së zgjedhjeve, aq më shumë rritet rreziku për funksionimin normal të institucioneve vitin e ardhshëm.
Cakolli përmes një postimi në Facebook thekson se sipas afateve aktuale – edhe pse Kushtetuta dhe Ligji për Zgjedhjet nuk janë plotësisht konsistentë në mënyrën se si përcaktojnë dhe përllogarisin afatet – datat reale për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme mbeten 21 dhe 28 dhjetori.
“Por nëse konsultimet dhe vendimmarrja përkatëse e Presidentes shtyhen pas 22 nëntorit, edhe 21 dhjetori bie si opsion, duke i shtyrë zgjedhjet potencialisht drejt janarit. E zgjedhjet në janar përbëjnë rrezik shumëfish më të madh, sepse nëse ato nuk mbahen brenda këtij viti, zgjatja automatike e ndarjeve buxhetore vlen vetëm për muajin janar, por jo edhe për shkurt.”shkruan Cakolli.
Sipas tij mbajtja e zgjedhjeve në dhjetor, madje sa më herët që të jetë e mundur, është mënyra e vetme për të shmangur kriza të reja dhe për të zvogëluar presionin kohor për formimin e institucioneve, të cilat duhet të përmbyllen patjetër në ditët e para të marsit. Sa më shumë të vonohet shpallja e datës, aq më afër skajit të afateve kushtetuese shtyhet vendi, me të gjitha rreziqet që i sjell një skenar i tillë.




