Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njofton se ndërrimi i Qendrës së Votimit nga një komunë në komunën tjetër, nuk mundësohet drejtpërdrejtë nga KQZ, por kjo është e ndërlidhur me deklarimin zyrtar të vendbanimit nga qytetarët/votuesit.
“Përmes KQZ-së, votuesi, nëse dëshiron, mund të ndryshojë Qendrën Votimit vetëm brenda komunës. Por, për të kaluar nga një Qendër Votimi e një komune, në Qendrën e Votimit në një komunë tjetër, votuesi duhet të ndryshojë adresën e tij në Zyrën e Gjendjes Civile apo në platformën E-Kosova. Pas konfirmimit të ndryshimit të adresës nga Shërbimi i Gjendjes Civile, adresa e re reflektohet në Regjistrin Qendror Civil”, thuhet në njoftim.
KQZ thekson se çdo ndryshim i adresës së banimit deri më 29 gusht 2025, do të pasqyrohet në platformë dhe rrjedhimisht në listën Votuese.
“Gjithashtu, deri më 29 gusht 2025, KQZ do të vazhojë të ofrojë shërbimin për votuesit që dëshirojnë ta ndryshojnë Qendrën e Votimit brenda komunës. Gjatë periudhës, e cila ka filluar më 28 qershor dhe do të përfundojë më 29 gusht, qytetarët me të drejtë vote do të mund ta mësojnë/verifikojnë qendrën e tyre të votimit dhe nëse dëshirojnë edhe ta ndërrojnë atë, duke e caktuar sa më afër vendbanimit në komunën e tyre: përmes platformës elektronike të KQZ-së: https://qv.kqz-ks.org ose duke paraqitur kërkesën në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është i regjistruar votuesi”, thuhet në njoftim.




