Shqipëria aktualisht udhëheq mes vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, sipas raportuesit për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder.
Nga një vend që dikur qëndronte pas fqinjëve si Mali i Zi apo Serbia, Shqipëria tani konsiderohet si më e avancuara ndër kandidatët për anëtarësim. Në një mbledhje të PE, ku u votuan raportet për Shqipërinë, Bosnjën dhe Maqedoninë e Veriut, Schieder theksoi progresin domethënës të Tiranës, veçanërisht në drejtësi, luftë kundër korrupsionit dhe mbrojtje të mjedisit.
Në një deklaratë për bne IntelliNews, ai tha se Shqipëria është “partnere e besueshme” dhe se synimi për anëtarësim në vitin 2030 kërkon përparim të vazhdueshëm, sidomos në ekonomi dhe reformën zgjedhore.
Edhe grupi i socialistëve e demokratëve në PE përgëzoi përparimin, duke e quajtur Shqipërinë “kryesuese në negociatat për anëtarësim”, me shpresën që vendi të jetë gati deri në fund të vitit 2027.
Pavarësisht këtij suksesi, raporti i fundit thekson nevojën për forcimin e sistemit të drejtësisë, luftën ndaj krimit të organizuar dhe garantimin e lirisë së medias.




