Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, u është drejtuar me një letër mërgimtarëve me rastin e pushimeve të fundvitit, duke iu kërkuar që të mos lejojnë asnjë propagandë të dëmtojë familjet e tyre.
Ai thotë se duan që Kosova e ëndërrave të jetësohet, vlera e lirisë të respektohet dhe të nderohen partnerët ndërkombëtarë në secilin nivel të sigurisë e të zhvillimit.
Haradinaj foli edhe për ndihmat nga 100 euro që qeveria në detyrë i ndau, ku tha se s’duam lëmoshë financiare që ministri dhe kryeministri t’ia vazhdojnë pushtetin vetes për një javë apo një muaj.
Ai gjithashtu ftoi ata që të bisedojnë e argumentojnë mes vete, në familjet e tyre dhe të vendosin për të ardhmen.
Haradinaj në fund thotë se pa njër-tjetrin nuk e kemi familjen, nuk e nderojmë vendin dhe nuk e sigurojmë të ardhmen.





