Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme prezantoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve komunale të mbajtura më 12 tetor 2025 dhe të zgjedhjeve të raundit të dytë i mbajtur më 9 nëntor duke certifikuar rezultatet për 37 komuna të vendit.
Ndërsa Komuna e Istogut mbeti jashtë certifikimit për shkak të një vendimi të Gjykatës Supreme, e cila ka kthyer në PZAP për rivendosje ankesën e një kandidati për Kuvend.
Për këtë komunë, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka shpjeguar situatën ku ka thënë se Gjykata Supreme e ka kthyer në PZAP për rivendosje ankesën e një kandidati për anëtar të Kuvendit të kësaj komune.
Pas marrjes së vendimit për certifikim të rezultateve, anëtari i PDK-së, Arianit Elshani u ndal tek procesi në Mitrovicë, ku tha se partia që ai përfaqëson i beson organeve të drejtësisë ndonëse, sipas tij, në realitet Mitrovica do duhej të shkonte në rivotim.
Më pas reagoi anëtari i LVV-së, Sami Kurteshi, duke rikthyer në vëmendje rastin në Kllokot , për të cilin tha se ishte rast shantazhi, detyrimi dhe është përzierje e shtetit të Serbisë në Kosovë.
Anëtari tjetër i LVV-së, Alban Krasniqi, foli për gabimet teknike të evidentuara në Mitrovicë, duke thënë se reagimet ndaj tyre kanë shërbyer si mësim për të ardhmen.
Në vijim, KQZ mori vendim edhe për shpalljen e rezultateve përfundimtare të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të 20 komunave, të mbajtura më 9 nëntor 2025, vendimi erdhi pas konfirmimit nga PZAP se procesi i ankesave për këtë ditë zgjedhjesh është përmbyllur.




