Prokurorja e shtetit nga departamenti i krimeve të rënda, njëkohësisht koordinatorja për veprat penale me trafikimin me njerëz, Valbona Disha Haxhosaj, ka organizuar ligjëratë në shkollën e mesme “Vëllezërit Frashëri” në Deçan, bashkë me përfaqësuesit nga Policia e Kosovës, përkatësisht njësitit kundër trafikimit me njerëz dhe institucioneve tjera relevante.
Gjatë kësaj ligjërate nga koordinatorja për veprat penale me trafikimin me njerëz, Valbona Disha Haxhosaj dhe përfaqësuesit e institucioneve, nxënësit e kësaj shkolle fillimisht u njoftuan për qëllimin e këtij takimi dhe çfarë është trafikimi me njerëz.
Po ashtu, si pjesë e ligjëratës nxënësve ju treguan edhe format e trafikimit me njerëz, mënyra e kryerjes së kësaj vepre penale, si ta njohin një situatë të dyshimtë, si të mbrohen nga kryesit e kësaj vepre dhe ku të raportojnë veprën penale.
Gjithashtu, gjatë bisedimit me nxënësit të njëjtit u njoftuan që të kenë kujdes me përdorimin e rrjeteve sociale, shpërndarjen e fotografive me përmbajtje pornografike, shpërndarjen e dokumenteve personale dhe komunikimin me persona të dyshimtë, duke përçuar mesazhin që në rast se hasen në situatë të dyshimtë, të njëjtit fillimisht të bisedojnë me psikologun e shkollës, kujdestarin e klasës apo prindërit dhe të njoftojnë policinë dhe prokurorinë.




