Shtetasi i Republikës së Kosovës, Arbnor Spahiu, është liruar nga paraburgimi në Serbi pas një periudhe të zgjatur ndalimi nën akuzat për “vrasje të rëndë” të lidhura me ngjarjet në Banjskë më 2023.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka bërë të ditur se Spahiu ështe mbajtur padrejtësisht, me akuza të pabazuara në prova dhe me shkelje të vazhdueshme të të drejtave të tij themelore.
Gjatë gjithë procesit, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi dhe institucionet e Kosovës kanë ndjekur nga afër rastin, duke i ofruar mbështetje të vazhdueshme.
Sipas ministrisë, lirimi i Spahiut dëshmon se pretendimet e Serbisë nuk kanë qenë të qëndrueshme dhe se përdorimi i sistemit të drejtësisë për presion politik ndaj qytetarëve të Kosovës është praktikë që duhet të marrë fund.
Ministria falënderoi institucionet vendore dhe ndërkombëtare që kontribuan në trajtimin e drejtë të çështjes, duke theksuar përkushtimin e saj për mbrojtjen e çdo qytetari të Kosovës kudo që ndodhet.




