Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë një paralajmërim me nivel të verdhë për reshje të dendura dhe rrezik potencial të vërshimeve në disa rajone të vendit.
Në njoftim thuhet se, situata pritet të përkeqësohet nga mbrëmja e së shtunës.
“Duke pasur parasysh, situatën e përgjithshme të pa qëndrueshme hidrometeorologjike gjatë këtyre ditëve, e cila përfshin reshje, duke shkaktuar edhe vërshime në disa zona të vendit. Aktualisht lumenjtë në tërë vendin kanë pësuar rënie, por reshjet e shiut të cilat parashikohen të bien gjatë orëve në vijim, sidomos në pjesën lindore (Pellgu e Moravës së Binçës), do të ndikojnë që të rriten përsëri prurjet e ujit nga pjesët e larta malore dhe rrjedhimisht edhe Lumin Morava e Binçës me degën kryesore Kriva Reka, të cilat mund të shkaktojnë vërshime”, thuhet në njoftim.
Situata e tillë do të dominojë edhe në pjesë tjera të vendit, sidomos pjesa veri-lindore, (Pellgu i Llapit), qendrore (Sitnica) dhe jugore (Pellgu i Lepencit).





