Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në edicionin e tetë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi fytyrën”, që u mbajt në Teatrin “Faruk Begolli” të AAB-së, e në të cilin u nderua koreografi dhe balerini Blenard Azizaj.
Para të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se, sonte e nderojmë koreografin dhe balerinin Blenard Azizaj, i cili vjen në Prishtinë pas një trajektore të suksesshme në teatrot e Gjermanisë, Francës, Zelandës së Re, Meksikës, Hong Kongut, Brazilit e të Anglisë.
Ai më tutje tha se çmimi mban emrin “Ta zbardhi fytyrën”, por në të vërtetë janë artistët si Blenardi, të cilët na e zbardhin fytyrën neve, si shoqëri dhe si vende të rajonit.
Duke i uruar për një mbrëmje të bukur dhe suksese gjithnjë e më të mëdha në edicionet e ardhshme, kryeministri Kurti tha se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të vazhdojnë të mbështesim këso nismash që e forcojnë kulturën tonë dhe e lidhin Kosovën me botën.




