Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, mirëpriti sot një delegacion të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përbërë nga kongresisti republikan Mike Turner dhe kongresisti demokrat Donald Norcross.
Pika qendrore e diskutimeve ishte fuqizimi i marrëdhënieve Kosovë–ShBA, me theks të veçantë në fushën e mbrojtjes, ku Kurti njoftoi se në katër vitet e fundit mbi 1000 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë marrë pjesë në trajnime në programe ushtarake të ShBA-së, përfshirë edukimin ushtarak në West Point dhe U.S. Army War College, dhe gjithashtu, Kosova ka mirëpritur tre edicione radhazi të ushtrimeve ushtarake Defender Europe.
Sa i përket investimeve dhe kapaciteteve mbrojtëse, ai veçoi prokurimin e pajisjeve ushtarake amerikane, përfshirë edhe sistemeve anti-tank Javelin, si dhe faktin që Kosova ka nënshkruar gjithashtu Marrëveshjen për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe CISMOA, duke u bërë vendi i 33-të në botë me këtë status të besueshëm.
Gjatë takimit u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit në rrafshin ekonomik, sidomos në fushën e energjisë dhe të teknologjisë, por edhe në projekte të mëdha infrastrukturore që parashihen të realizohen, si ato në transportin hekurudhor ndërkaq shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës dhe falënderimin e tij për kontributin historik, rolin aktiv dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj shtetit të Kosovës.





