Punonjësit e Radio Televizionit të Kosovës kanë nisur sot grevën e përgjithshme, duke kërkuar pagesën e pagave, ndërkohë që situata ka nxitur reagime ndërkombëtare.
Ricardo Gutierrez, sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, ka shprehur solidaritet me stafin e RTK-së dhe ka kritikuar qeverinë e Kosovës për, siç thotë ai, “mostransferimin e qëllimshëm të fondeve.”
Në një reagim publik nga Brukseli, ai tha se kryeministri Albin Kurti “ka konfirmuar se nuk ka ndërmend të transferojë fondet e nevojshme për RTK-në, njësoj siç kishte refuzuar të vepronte në muajin gusht”.
Gutierrez i bëri thirrje kryeministrit Kurti të ndalojë politizimin e mëtejmë të transmetuesit publik dhe të sigurojë menjëherë që pagat e RTK-së të paguhen sepse askush nuk duhet të luajë me mirëqenien e 700 punonjësve dhe familjeve të tyre.





