Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e ekspozitës, “Koha e shndërrimit – Kosova 1968-1981: dokumente dhe dëshmi”, të organizuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, e cila u mbajt në Bibliotekën Kombëtare.
Ai tha se ashtu si titulli i ekspozitës, ka qenë edhe periudha në harkun kohor nga viti 1968 deri në vitin 1981, kur rinia shqiptare nga një lëvizje studentore u kthye në një revolucion shoqëror, u ngrit në protesta duke kërkuar liri.
Kurti tha se duke e studiuar dhe mësuar mirë se prej nga vijmë, ne dimë të ecim më drejtë, më shpejtë, më qartë andej nga jemi nisur, prandaj, arkivat e shtetit përveçse na tregojnë çfarë ishte e kaluara, ne e inkurajojnë shoqërinë tonë që sa më shumë të dokumentojnë për ata që do të vijnë pas nesh.




