Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, priti sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës Amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën diskutoi për zhvillimet e fundit në vend dhe aktualitetin politik.
Ai shprehu keqardhjen që nuk u votuan disa prej çështjeve të rëndësishme në Kuvend, përfshirë marrëveshjet ndërkombëtare, buxhetet e komunave, ligjin e buxhetit, si dhe raportin e RTK-së që do të mundësonte zgjidhjen e çështjes së pagave për punëtorët.
Një pjesë e bisedës u përqendrua te procesi zgjedhor në vend, rëndësia e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si dhe respekti mes subjekteve politike.
Basha gjithashtu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara, aleatin tonë të çmuar dhe siç e cilësoi ai, modelin e përhershëm për vlerat dhe standardet demokratike.





