Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se po vazhdon periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda së njëjtës komunë, në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Gjatë periudhës 11-ditore, nga 26 nëntori e deri më 6 dhjetor 2025, të gjithë qytetarët me të drejtë vote mund të verifikojnë Qendrën e tyre të Votimit ose ta ndryshojnë atë brenda komunës ku janë të regjistruar.
Sipas KQZ-së, ndërrimi mund të bëhet përmes platformës elektronike të KQZ-së qv.kqz-ks.org, ose duke paraqitur kërkesën në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën përkatëse.
KQZ gjithashtu ka sqaruar se ndërrimi i Qendrës së Votimit nga një komunë në një tjetër nuk mund të bëhet përmes sistemit të KQZ-së, sepse ky ndryshim kërkon deklarimin zyrtar të adresës së vendbanimit nga vetë qytetari, në Zyrën e Gjendjes Civile apo përmes platformës E-Kosova.




