Operatori i Sistemit, Transmetimit dhe Tregut të energjisë elektrike ka mohuar deklarimet dhe raportimet se kompania EFT LLC ka furnizuar qytetarët e Republikës së Kosovës me energji elektrike më 28 nëntor 2025.
Në një sqarim zyrtar, ata kanë bërë të ditur se, bazuar në të dhënat e Operatorit të Tregut, EFT LLC nuk ka rezervuar në SEE CAO kapacitete ndërkufitare për furnizimin e konsumit të brendshëm në Kosovë, por vetëm për qëllime transiti të energjisë elektrike.
Sipas KOSTT-it, palët tregtare që marrin pjesë në tregtinë ndërkufitare rezervojnë kapacitete nëpërmjet SEE CAO për import dhe eksport të energjisë, ndërsa të hyrat e gjeneruara nga shfrytëzimi i këtyre kapaciteteve ndahen mes operatorëve të sistemeve të transmetimit të vendeve përkatëse, në përputhje me metodologjinë e përcaktuar.





