Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar ndaj vendimit për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës nesër në orën 11:00, duke e cilësuar këtë si shkelje të rendit kushtetues.
Cakolli ka deklaruar se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, është dashur ta caktonte vazhdimin brenda afatit të përcaktuar, në mënyrë që procesi të përfundonte deri në skadimin e afatit kushtetues.
Sipas tij, afati 48-orësh për ndërprerjen e seancës është një kufizim procedural dhe nuk mund të përdoret përtej afatit kushtetues.
Ai ka kritikuar edhe mosveprimin e Lëvizjes Vetëvendosje për propozimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit brenda afatit 30-ditor, duke thënë se kjo ka penguar deputetët në ushtrimin e përgjegjësive të tyre.
Cakolli ka bërë të ditur se deputetët mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar vendimin për vazhdimin e seancës pas afatit dhe për të kërkuar masë të përkohshme për pezullimin e saj.




