Policëve të njësive speciale që angazhohen në plane operative dhe punojnë me orare 12-orëshe në pjesën e veriut të Kosovës u është reduktuar numri i shujtave ushqimore nga dy në një.
Siç raporton Kallxo.com, ky reduktim ka ardhur si pasojë e mungesës së shujtave ushqimore, të cilat ishin të parashikuara me kontratë paraprake të Policisë së Kosovës.
Mediumi raporton se ka zhvilluar biseda me disa zyrtarë policorë nga njësi të ndryshme speciale që veprojnë në nivel rajonal dhe janë të angazhuara në plane operative në veri të Kosovës.
Në lidhje me largimin e një shujte ushqimore për personelin policor që punon në terren, Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hotin, ka konfirmuar informacionet, duke sqaruar se numri i madh i policëve të angazhuar në plane operative ka ndikuar në mungesë të shujtave ushqimore, prandaj është marrë vendim që policët specialë në oraret 12-orëshe të ushqehen vetëm me një shujtë.




