Duke lënë për ditët e fundit dorëzimin e listës së kandidatëve me të cilët garojnë në Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, partitë politike kryesore në vendin tonë, duket se po veprojnë si në çdo tjetër proces tjetër zgjedhor.
Deri më tani, Vetëvendosje, PDK, LDK apo AAK, janë në kërkim të kandidatëve, e që në numër janë shumëfish më shumë se në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, pasi bëhet fjalë për dy lloje të zgjedhjeve, për të parin e komunës dhe për asambleistët. Vetëm LDK ka publikuar listën me emrat e të gjithë kandidatëve me të ciët do të garojë në zgjedhjet për të drejtuar komuna të ndryshme të vendit.
Zëdhëndësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se afati i hapur më 26 qershor do të përfundojë më 13 gusht 2025.
Sipas Elezit, është në vullnetin e subjekteve politike të përcaktohen për llojin e zgjedhjeve dhe për komunat në të cilat duan të garojnë.




