Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar padinë e Besim Kelmendit, përmes së cilës ai kërkoi masë të përkohshme të sigurisë dhe pezullim të vendimit të Këshillit Prokurorial për shkarkimin e tij nga posti i ushtruesit të detyrës të Kryeprokurorit të Shtetit, ndërsa avokati i tij ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Apelit, raporton Betimi për Drejtësi.
Themelorja ka argumentuar se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së përkohshme, siç parashihet në Ligjin për konfliktet administrative dhe po ashtu, kjo gjykatë ka konstatuar se pretendimet për dëm të reputacionit dhe atë profesional nuk janë mbështetur në fakte konkrete.
Avokati i Kelmendit, Flakron Sylejmani tha se vendimi i Themelores ka të bëjë vetëm me kërkesën për masë të përkohshme dhe se ligjshmëria e vendimit për shkarkim nuk është vlerësuar.




