Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLPS) ka bërë thirrje për një konsensus politik më të gjerë mbi çështjet integruese, duke paralajmëruar se ngërçi politik që ka karakterizuar Kosovën që nga zgjedhjet e shkurtit të këtij viti ka shkaktuar pasoja të mëdha për zhvillimin ekonomik dhe kredibilitetin ndërkombëtar të vendit.
Po ashtu u kërkua që përtej agjendës së brendshme partiake, vendi ka nevojë për një dialog dhe bashkëpunim më të gjerë për çështje kyçe si dialogu me Serbinë dhe përparimi i procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, si dhe aplikimi për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian.
Drejtoresha Ekzekutive e GLPS, Njomza Arifi, tha se vonesat në formimin e institucioneve dhe mosstabiliteti politik kanë rrezikuar shfrytëzimin e fondeve nga planet e rritjes ekonomike, duke kërcënuar mbi 800 milion euro që Kosova mund të përfitonte.
Arifi ka shtuar se ndikimi i ngërçit politik është evident edhe tek fondet e Bankës Botërore dhe projekte të tjera zhvillimore, të cilat nuk janë aprovuar për shkak të vonesave institucionale.
Ajo theksoi se Kosova ka humbur një vit të plotë sa i përket proceseve reformuese që janë themelore për integrimin në BE, përfshirë reformat në administratën publike, sundimin e ligjit dhe zhvillimin demokratik.




