Fatmir Limaj nuk do të jetë pjesë e garës zgjedhore të 28 dhjetorit në kuadër të listës së Partisë Demokratike të Kosovës, ndonëse kjo e fundit ende nuk e ka publikuar zyrtarisht përbërjen e kandidatëve. Mospërfshirja e tij është konfirmuar përmes burimeve të mirëinformuara të Gazetës Nacionale.
Ditëve të fundit ka pasur diskutime të në opinion lidhur me mundësinë e përfshirjes së Fatmir Limajt në listën e partisë që doli e dyta në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit.
Limaj ishte takuar së fundmi edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun, megjithatë nga ky takim nuk u bë e ditur ndonjë marrëveshje e mundshme parazgjedhore.
Gjatë ditës së sotme (6 dhjetor) subjektet politike e kanë afatin e fundit që të tërhiqen nga pjesëmarrja në zgjedhjet e 28 dhjetorit, pavarësisht faktit se janë certifikuar nga KQZ.
Ky afat është miratuar nga KQZ në fillim të organizimit të procesit zgjedhor.
Tërheqja e subjekteve politike të certifikuara nga procesi zgjedhor parashihet në nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Ndërkohë, KQZ ka vendosur datën 8 dhjetor për tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim.




