Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) nisi dje konferencën vjetore të “Ditëve të Gjyqësorit 2025”, aktivitet që zhvillohet në dy ditë të ndara, ku dita e dytë do të vazhdojë pas një jave.
Dita e parë mblodhi drejtues të institucioneve të drejtësisë, gjyqtarë, partnerë ndërkombëtarë dhe ekspertë të fushës për të prezantuar zhvillimet kryesore të sistemit gjyqësor në transparencë, performancë, cilësi të vendimmarrjes dhe praktikë gjyqësore.
Ngjarja u hap nga Kryesuesi i KGJK-së, z. Albert Zogaj, i cili prezantoi rezultatet historike të gjyqësorit për vitin 2025.
Ai theksoi se ky vit shënon nivelin më të lartë të efikasitetit në historinë e sistemit, duke arritur deri në 137% efikasitet në Gjykatat Themelore, ndërsa krahasuar me pesë vitet e fundit, numri i lëndëve të zgjidhura është rritur me 61%.
Ai nënvizoi se trajtimi i lëndëve të kundërvajtjes ka arritur efikasitet 121%, duke mundësuar pastrim të ngarkesës së akumuluar ndër vite ndërsa Gjykata e Apelit dhe Gjykata Komerciale kanë treguar efikasitet të qëndrueshëm, duke reflektuar përmirësim të cilësisë së vendimmarrjes.





