Shërbimi Korrektues i Kosovës, me mbështetjen e EULEX-it, sot ka nisur fazën e dytë të punëtorisë tre ditore për hartimin e kurrikulave të cilat do të shërbejnë për trajnimin e menaxherëve të nivelit të mesëm dhe drejtorëve të institucioneve korrektuese.
Kjo fazë vjen pas trajnimit të ekspertëve që u zhvillua në nëntor dhe po realizohet nga Njësia Korrektuese e EULEX-it, me përkrahjen e Shërbimit Suedez të Burgjeve dhe Sprovues.
Kjo qasje e përbashkët synon të krijojë një program të qëndrueshëm trajnimi brenda SHKK-së, i cili do të ndihmojë në forcimin e një sistemi korrektues modern, rehabilitues dhe më të sigurt, të bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut.
Punëtorinë e ka përshëndetur edhe Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, i cili ka vlerësuar rëndësinë e këtij procesi për rritjen e kapaciteteve dhe profesionalizimin e mëtejshëm të stafit korrektues.




