Në Qendrën e Trajnimeve të Regjimentit të Mjekësisë të Komandës së Logjistikës, u realizua kursi “Medik Luftarak/Cobat Medik” për pjesëtarët e Regjimentit të Parë të Komandës së Forcave Tokësore.
Ky trajnim, i realizuar në përputhje me standardet e NATO-s, kishte për qëllim përgatitjen e personelit ushtarak me njohuri dhe aftësi mjekësore të avancuara për ofrimin e kujdesit urgjent dhe efektiv në fushëbetejë.
Në ceremoninë e certifikimit morën pjesë figura të rëndësishme të komandës, përfshirë zëvendëskomandantin e Logjistikës, kolonel Mehmet Lladrovci, komandantin e Regjimentit të Mjekësisë, Dr. kolonel Xhevdet Tahiraj, dhe komandantin e Regjimentit të Parë të KFT-së, nënkolonel Arben Abdyli.
Kolonel Lladrovci theksoi rëndësinë e trajnimeve të tilla për avancimin e kapaciteteve operacionale të Forcave të Armatosura të Kosovës, përgatitjen e tyre për anëtarësimin në NATO dhe forcimin e gatishmërisë për mbështetje të operacioneve të paqes.
Ky trajnim fokusohet në rritjen e mbijetesës të të plagosurve përmes menaxhimit të traumave, stabilizimit të gjendjes dhe evakuimit mjekësor, duke siguruar ndërhyrje të koordinuar dhe të standardizuar sipas protokolleve taktike të kujdesit para-spitalor.





