Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, në Kosovë është hapur ekspozita “E vërteta, kujtesa, drejtësia”, e dedikuar dokumentimit të krimeve të luftës dhe kërkimit të drejtësisë për viktimat.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ceremonisë, theksoi se krimet e kryera gjatë luftës kanë lënë plagë të pashërueshme tek mijëra familje dhe se angazhimi për drejtësi mbetet një përgjegjësi institucionale dhe morale.
Ajo u shpreh se krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi i ushtruar nga regjimi serb kanë shkaktuar dhimbje që nuk shuhet dhe se për secilin të vrarë, të zhdukur apo të dhunuar, kërkohet drejtësi pa ndalur.
Osmani shtoi se ekspozita shërben si një dëshmi e qëndresës dhe dinjitetit njerëzor të të mbijetuarve, të cilët, edhe pse me plagë fizike dhe shpirtërore, janë zëri i së vërtetës që nuk do të heshtet.
Drejtori i Institutit për Krime të Luftës, Atdhe Hetemi, theksoi se kjo ekspozitë nuk është vetëm një paraqitje vizuale, por një akt institucional që kërkon përgjegjësi dhe kujtesë për krimet e kryera gjatë luftës.
Ai shtoi se videot dhe fotot e ekspozuara tregojnë jo vetëm imazhe, por jetë të ndërprera, familje të shkatërruara dhe dhimbjen e mijëra viktimave të represionit sistematik serb.
Ekspozita vjen si një përkujtim i qartë se krimet e luftës në Kosovë nuk mund të harrohen dhe se drejtësia për viktimat dhe të mbijetuarit mbetet një detyrë e pandalshme e institucioneve dhe e shoqërisë.
Ajo synon të ruajë kujtesën, të dokumentojë së kaluarën dhe të forcojë përgjegjësinë morale për të mos lejuar që e vërteta të shtrembërohet.




