Policia e Kosovës ka përmbyllur fushatën globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore”, e zhvilluar nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor 2025 në të gjitha komunat e vendit.
Në kuadër të projektit “Zëri që dikur heshti, sot dëgjohet”, Policia ka realizuar aktivitete vetëdijësuese si shfaqje video-spotesh sensibilizuese, shpërndarje fletushkash dhe posterash, si dhe takime me qytetarë, nxënës dhe institucione lokale për parandalimin e dhunës me bazë gjinore.
Për të shënuar përfundimin e fushatës, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë u ndriçua me dritë portokalli, simbol i mbështetjes globale ndaj kauzës.
Policia thekson se lufta kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore është përgjegjësi e përditshme dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm institucional dhe komunitar.




