Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, është liruar me kusht nga Dhomat e Specializuara në Hagë, pasi gjykatësi vendosi se mbajtja e tij në paraburgim për akuzat e pengimit të drejtësisë nuk ishte “as e arsyeshme, as proporcionale”.
Avokati i Kilajt, Taulant Hodaj, ka sqaruar se lirimi me kusht nuk lidhet me pranimin e fajësisë, por u bazua në kohën e kaluar në paraburgim dhe peshën e veprës penale. Hodaj theksoi se masat e paraburgimit janë të rënda dhe në raste kur kohëzgjatja e mbajtjes në paraburgim është e konsiderueshme, gjykata zakonisht shqyrton lirimin ose masa të tjera sigurie.
Kushtet për Kilajn përfshijnë moskontaktimin me dëshmitarët, mosmanipulim me prova, mosndikim të dëshmitarëve dhe përgjigjen ndaj thirrjeve të gjykatës. Avokati shtoi se mund të ketë edhe kushte të tjera që nuk mund të bëhen publike.
Hodaj gjithashtu theksoi se ky vendim nuk ka ndikim mbi të tjerët me akuzat për krime lufte, pasi pesha dhe lartësia e dënimeve ndryshojnë. Kilaj akuzohet së bashku me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe të tjerë për pengim të drejtësisë në gjyqin për krime lufte ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.




