Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”, Arben Fetoshi, ka komentuar sulmin ndaj kanalit Ibër-Lepenc në Varragë të Zubin Potokut (2024), duke e cilësuar atë si një operacion terrorist të orkestruar nga Serbia me qëllim destabilizimin e Kosovës. Fetoshi thekson se përpjekjet e Serbisë për të manipuluar opinionin publik dhe për të fajësuar Kosovën janë dështuar, veçanërisht pas publikimit të aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj tre të dyshuarve për rrezikim të rendit kushtetues dhe veprime terroriste.
Sipas Fetoshit, hetimet njëvjeçare dhe ekspertiza e FBI-së kanë zbuluar lidhjet e të dyshuarve me strukturat ilegale serbe dhe inskenimin e një organizate fiktive për të justifikuar sulmin. Ai nënvizon se përfshirja e autoriteteve ndërkombëtare ka eliminuar çdo hapësirë për manipulim dhe konfirmon përgjegjësinë direkte të Serbisë, përmes elementëve të njësive të saj të sigurisë dhe arsenalit të gjetur gjatë bastisjeve.
Fetoshi thekson rëndësinë e mbajtjes së Serbisë përgjegjëse për operacionet hibride dhe sulmet ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës, duke bërë thirrje që komuniteti ndërkombëtar të zbatojë drejtësinë dhe të mos lejojë manipulime të mëtejshme.




