Shtëpia e Bardhë ka publikuar Strategjinë Kombëtare të Sigurisë (NSS), ku përshkruhen prioritetet e reja të politikës së jashtme dhe sigurisë së SHBA-së, përfshirë qasjen ndaj Europës. Dokumenti kërkon që Europa të forcojë kapacitetin e saj për të vepruar si një grup shtetesh sovrane të përgjegjshme për mbrojtjen e kontinentit dhe të mos lejojë dominim nga fuqi armiqësore. Strategjia nxit gjithashtu zhvillimin e vendeve të Europës Qendrore, Lindore dhe Jugore përmes bashkëpunimit ekonomik, ushtarak dhe kulturor.
Analisti boshnjak Adi Çerimagiq paralajmëron se me këtë drejtim të ri, SHBA-ve do t’u bëhet gjithnjë e më e vështirë të mbështesin strukturën ekzistuese të zgjerimit dhe integrimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, gjë që mund të ndikojë edhe në zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që garantuan stabilitetin pas viteve 1990 — nga Dejtoni te Ahtisaari e Prespa. Ai thotë se disa aktorë në Serbi, Bosnjë, Maqedoni të Veriut dhe Kosovë po preferojnë qasje të shpejta e të brishta në stilin e Trump-it, çka u jep hapësirë forcave që duan të sfidojnë rendin rajonal.
Eurodeputeti holandez Thijs Reuten vlerëson se kjo strategji duhet lexuar përmes perspektivës së Ballkanit Perëndimor, duke shtuar se BE-ja nuk ka zgjedhje tjetër veçse të rrisë angazhimin e saj të përbashkët politik, ekonomik dhe të sigurisë, në mënyrë që të ruajë stabilitetin europian dhe rëndësinë e saj strategjike në rajon.




