Në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës ka shpërthyer debat lidhur me legjitimitetin e pjesëmarrjes së Agron Qalajt si ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit.
Anëtari i KPK-së, Veton Shabani, kërkoi që Qalaj të mos marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit, duke argumentuar se ankesat e ish-u.d. Besim Kelmendit në Gjykatën Supreme kanë efekt suspenziv sipas nenit 15 të Ligjit për Përgjegjësi Disiplinore.
Qalaj e kundërshtoi këtë, duke deklaruar se mandati i tij është plotësisht i vlefshëm dhe se ligji i përmendur nuk zbatohet për vendime të tilla, prandaj ai do të vazhdojë detyrën deri në një vendim gjyqësor përfundimtar.
Mbledhja u shoqërua me tensione edhe rreth propozimit për themelimin e një Komisioni Ad-Hoc ndaj anëtarit Arian Gashi.
Kryesuesi Ardian Hajdari fillimisht refuzoi ta largonte këtë pikë nga rendi i ditës, por pas konsultimeve e tërhoqi duke e konsideruar kërkesën jashtë afatit ligjor.
Ndërkohë, KPK vendosi që diskutimi për Komisionin e Rekrutimit të Prokurorëve të vazhdojë pa praninë e mediave dhe miratoi autorizimin e Hajdarit për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi me Këshillin e Lartë të Prokurorisë së Shqipërisë.




