Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, së bashku me zëvendësguvernatorin Milot Cakaj, zhvilluan një takim me përfaqësuesit e Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (CEB), Thomas Adams dhe Denis Weerts.
Diskutimet u përqendruan në zhvillimet e fundit në sektorin financiar, me theks të veçantë te mikrofinancat dhe institucionet jo-bankare, përfshirja financiare dhe reformat strukturore të ndërmarra nga BQK.
Guvernatori Ismaili prezantoi gjendjen e sektorit të mikrofinancave dhe jo-bankave, duke theksuar rolin e tyre në ofrimin e qasjes në financa për mikro-ndërmarrjet dhe individët që nuk përdorin bankat tradicionale.
Ai theksoi se sektori ruan nivel të ulët të kredive me probleme dhe një profil të qëndrueshëm risku.
Në takim u prezantuan edhe masat rregullatore të reja të BQK-së, përfshirë kërkesat për licencim dhe kapital, mbikëqyrjen e përmirësuar, si dhe aktivitetet për parandalimin e pastrimit të parave. Guvernatori nënvizoi gjithashtu se është avancuar struktura e brendshme organizative për mbikëqyrje më efektive dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Pjesë e diskutimeve ishte edhe modernizimi i sektorit financiar, përfshirë iniciativat e digjitalizimit: reformat në sistemin e pagesave, përgatitjet për integrim në SEPA, zhvillimi i platformës TIPS Clone për pagesa të menjëhershme dhe programet e edukimit financiar.
Përfaqësuesit e CEB-it vlerësuan progresin e BQK-së në forcimin e kornizës mbikëqyrëse, promovimin e përfshirjes financiare dhe avancimin e digjitalizimit, duke rikonfirmuar interesin e tyre për mbështetje të mëtejshme në zhvillimin financiar dhe social të Kosovës.




