Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka reaguar ndaj moscertifikimit të kandidatëve të Listës Serbe për zgjedhjet parlamentare, duke theksuar se ky veprim po e dëmton imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe po ndikon negativisht në procesin e integrimit evropian.
Në deklaratën e saj, ambasada rikujtoi se proceset zgjedhore dhe të gjitha përgatitjet teknike duhet të jenë të çliruara nga ndërhyrjet apo manovrimet politike të akterëve partiakë. Ajo kritikoi sjelljen e disa anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që, sipas ambasadës, po pengojnë verifikimin e Listës Serbe dhe kandidatëve të saj.
Sipas ambasadës, veprime të tilla jo vetëm se minojnë besueshmërinë e proceseve demokratike në vend, por gjithashtu krijojnë pengesa në rrugën e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.




