Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar mbajtjen e ligjëratave vetëdijesuese në shkollat e mesme të ulëta në gjithë vendin, me qëllim informimin e nxënësve për rreziqet që paraqet përdorimi i mjeteve piroteknike. Aktiviteti po realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, si pjesë e planit vjetor të edukimit dhe ndërgjegjësimit.
Ligjëratat fokusohen në pasojat e mundshme të përdorimit të mjeteve piroteknike, të cilat shpesh shkaktojnë lëndime të rënda tek fëmijët dhe të rinjtë, sidomos gjatë sezonit festiv. Pjesëtarët e FSK-së po prezantojnë shembuj praktikë dhe rregulla të sigurisë për të ndihmuar nxënësit të shmangin incidentet.
FSK ka theksuar se mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë së qytetarëve dhe edukimit të brezave të rinj, duke kontribuar në çështje që lidhen me shëndetin publik dhe mirëqenien e komunitetit.





