Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë finalizuar përgatitjet për protestën paqësore që do të mbahet në Shkup në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, konfirmoi se kanë siguruar lejen zyrtare nga shteti i Maqedonisë së Veriut dhe shprehu besimin se kufiri do të jetë i hapur, duke kërkuar që aty të mos jenë zyrtarët kufitarë serbë.
Gucati kritikoi deklaratat e liderit maqedonas Hristijan Mickoski, duke thënë se ato vetëm sa kanë mobilizuar më shumë shqiptarët për të marrë pjesë në protestë. Ai theksoi se protesta është krejtësisht paqësore dhe se nuk ka synim provokimin e askujt.
Sipas tij, organizatat e UÇK-së nuk kanë marrë mbështetje nga institucionet e Kosovës, ndërsa komentoi edhe lirimin me kusht të Isni Kilajt, duke shprehur shpresën se ky është sinjal pozitiv që mund të pasohet edhe me masa lehtësuese për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.
Në protestën e Shkupit pritet të marrin pjesë edhe figura politike nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova.




