Të gjitha procedurat institucionale për protestën e paralajmëruar më 13 dhjetor në sheshin “Skënderbeu” në Shkup janë kryer me sukses. Komuna e Çairit ka konfirmuar se ka ndjekur të gjitha hapat ligjorë dhe ka njoftuar organet përgjegjëse për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës.
Nga Komuna e Çairit kanë deklaruar se janë plotësuar të gjitha kërkesat procedurale dhe se institucionet kompetente janë informuar në kohë për organizimin e tubimit.
“Ne jemi të informuar për protestën dhe në përputhje me procedurat, kemi njoftuar organet kompetente për të siguruar mbarëvajtjen dhe rendin publik”, thuhet në njoftimin e komunës.
Protesta, e cila organizohet në territorin e Çairit, pritet të zhvillohet të premten dhe ka marrë edhe lejen zyrtare nga autoritetet maqedonase, siç është bërë e ditur edhe ditëve të fundit nga organizatorët.




