Shefi i Misionit të OSBE-së në Serbi, ambasadori Marcel Peško, dhe Komesari i Lartë për Pakica, Kristof Kamp, zhvilluan sot një vizitë zyrtare në Bujanoc, ku u takuan me kryetarin e komunës, Arbër Pajazitin. Në këtë takim u diskutuan një sërë problemesh të theksuara që prej vitesh prekin qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës.
Në qendër të diskutimeve ishte pasivizimi i adresave, të cilin Pajaziti e vlerësoi si një proces që po cenon drejtpërdrejt të drejtat themelore të shqiptarëve, duke krijuar pasiguri juridike dhe sociale. Ai shtoi se ky fenomen po ndikon negativisht në qasjen në të drejta bazike, si dokumentet personale, sigurimet shëndetësore dhe e drejta e votës.
Kryetari ngriti edhe çështjen e mosnjohjes së diplomave nga institucionet serbe, një pengesë serioze për të rinjtë shqiptarë që kërkojnë punësim apo vijim të karrierës profesionale. Sipas tij, ky diskriminim institucional po e zbeh perspektivën e brezit të ri dhe po përkeqëson migrimin.
Pajaziti përmendi gjithashtu mungesën e investimeve, vonesat në zhvillimin ekonomik dhe përfaqësimin e pamjaftueshëm të shqiptarëve në institucionet shtetërore, të cilat po krijojnë pabarazi të thellë strukturore.
Ai kërkoi që këto çështje të trajtohen me urgjencë nga autoritetet qendrore në Beograd, duke theksuar se situata po rëndon çdo vit e më shumë jetën e shqiptarëve të Luginës.
Vizita e ambasadorit Peško dhe komesarit Kamp u vlerësua si e frytshme dhe konstruktive, ndërsa palët shprehën gatishmëri për të vazhduar bashkëpunimin dhe monitorimin e situatës, me qëllim përmirësimin e kushteve dhe garantimin e të drejtave të pakicës shqiptare në Bujanoc dhe në gjithë Luginën e Preshevës.




