Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka reaguar pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar kandidatët e Listës Srpska për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Përmes një postimi në platformën “X”, Guerot e ka cilësuar këtë veprim si zhgënjyes dhe të diskutueshëm, duke theksuar se një vendim i tillë nuk i kontribuon një procesi zgjedhor demokratik.
“Vendimi i marrë dje nga KQZ-ja në lidhje me kandidatët për zgjedhjet e ardhshme është zhgënjyes dhe i diskutueshëm. Nuk po kontribuon në zgjedhje transparente dhe gjithëpërfshirëse”, ka shkruar ambasadori francez.
Reagimi i tij vjen pas komenteve të ngjashme nga ambasada të tjera perëndimore dhe organizata të shoqërisë civile, të cilat kanë shprehur shqetësim për ndikimin që ky vendim mund të ketë në integritetin dhe përfaqësimin politik në zgjedhjet e ardhshme.




