Ish-deputeti dhe kandidati për deputet i PDK-së, Artan Behrami, ka kritikuar ashpër vendimin e moscertifikimit të kandidatëve të Listës Serbe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke e cilësuar këtë si “filma elektoralë” nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Behrami tha se Kurti kishte mundësinë ligjore për ta shpallur Listën Serbe organizatë terroriste, siç kishte vepruar me Rojet e Urës në vitin 2023, por sipas tij, Kryeministrit i mungon guximi dhe po përdor çështjen për fitime elektorale. Ai shtoi se PDK do të largojë “vijat e kuqe” të vendosura nga Kurti mes partive dhe popullit dhe do të përballet me Listën Serbe në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Behrami gjithashtu theksoi nevojën për forcimin e ushtrisë dhe policisë së Kosovës për t’u përballur me kërcënimet nga Serbia, duke e quajtur këtë një rrezik të vazhdueshëm dhe të real.
Ndërkaq, Albin Kurti ka deklaruar se qeveria nuk ka të drejtë të shpallë një parti politike si organizatë terroriste, dhe se për këtë çështje vendos Prokuroria dhe Gjykata.




