Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, zhvilloi një takim me Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Christophe Kamp, ku diskutuan gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Sinani theksoi përkeqësimin e pozicionit institucional, social dhe ekonomik të shqiptarëve dhe mungesën e zbatimit të marrëveshjeve me autoritetet serbe, përfshirë Planin e Çoviqit (2001), Trupin Koordinues (2009) dhe planin me 7 pika (2013).
Ajo ngriti shqetësime mbi mosnjohjen e diplomave të Kosovës, politikën e pasivizimit të adresave, diskriminimin në arsim dhe nën-përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore të Serbisë.
Sinani propozoi krijimin e një mekanizmi monitorues për Luginën, përfshirjen e OSBE-së në çështjen e diplomave, monitorimin e politikës së adresave dhe nisjen e një dialogu të strukturuar OSBE–Beograd–Preshevë me raporte periodike, duke theksuar se angazhimi i OSBE-së është thelbësor për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë demografike dhe institucionale të rajonit..




