Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur në takim gjyqtaren Florentina Kallaba, e cila ishte pjesë e ekipit të gjyqtarëve në finalen e parë historike të Kupës së Botës në futsall, mbajtur në Filipine.
Finalja ndërmjet Brazilit dhe Portugalisë u zhvillua para mbi 5 mijë shikuesve në “PhilSports Arena” në Manila dhe u drejtua nga gjyqtarë nga katër kontinente, me Kallabën që përfaqësoi Kosovën.
Ademi e përgëzoi Florentinën për profesionalizmin dhe përkushtimin e saj, duke theksuar se kjo pjesëmarrje është një vlerësim për punën e gjyqtarëve kosovarë dhe një shembull frymëzues për të rinjtë që aspirojnë të zhvillohen në këtë profesion.
Ai theksoi se arritjet e tilla tregojnë prezencën dhe respektin e Kosovës në arenën ndërkombëtare të futsallit, falë kontributit të profesionistëve të përkushtuar si Florentina Kallaba.




