Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, deklaroi se Kosova është e përgatitur për të përballuar çdo kërcënim ndaj sigurisë së vendit, përfshirë ato nga Serbia, e cila sipas tij vazhdon politikën agresive të së kaluarës. Ai përmendi incidentet e fundit, si sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023 dhe aktin në Kanalin e Ibër-Lepencit në 2024, që synonin destabilizimin e vendit.
Maqedonci paralajmëroi blerjen e helikopterëve Black Hawk, proces që pritet të përfundojë në vitin 2026 në koordinim me Shtetet e Bashkuara, dhe që do të realizohet sipas programit FMS ose Direct Sale, me komunikim direkt me prodhuesin.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e konceptit të Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse, që siguron mbrojtje pa nevojën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, duke përdorur një sistem vullnetar të rezervës dhe angazhimin e institucioneve.
Sipas planit gjithëpërfshirës të tranzicionit që FSK do të përfundojë deri në 2028, Ushtria e Kosovës do të ketë 8,520 pjesëtarë, përfshirë 5,000 ushtarë aktivë, 3,000 rezervistë dhe 520 staf civil.
Maqedonci nënvizoi se Kosova po ndërton kapacitete të mjaftueshme për të ruajtur stabilitetin dhe për të kontribuar për paqe dhe siguri krahas aleatëve ndërkombëtarë.




