Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka anuluar papritur procesin e rekrutimit të prokurorëve të rinj gjatë mbledhjes së tij të 280-të, duke shkaktuar paknaqësi tek kandidatët pjesëmarrës. Arsyeja e anulimit nuk është bërë e ditur, pasi diskutimi është zhvilluar me dyer të mbyllura.
Disa nga kandidatët, të cilët e konsiderojnë veten të dëmtuar, kanë njoftuar institucionet e Bashkimit Evropian për mungesën e transparencës dhe ndërprerjen e procesit. Po ashtu, një grup kandidatësh planifikon të bëjë kallëzim penal ndaj KPK-së dhe pritet të ngritë padi në gjykatë pas marrjes së vendimit me arsyetim.
KPK njoftoi gjithashtu se ka shqyrtuar ankesën disiplinore AD.nr.10/2025 dhe e ka kaluar çështjen tek Komisioni për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve për procedura të mëtejshme, në përputhje me rregullat disiplinore dhe standardet profesionale.
Ky zhvillim ka ngritur shqetësime për transparencën dhe menaxhimin e proceseve të rekrutimit në sistemin e drejtësisë në Kosovë.




