Analisti politik Agon Maliqi ka vlerësuar se autostrada “Ibrahim Rugova” ka nevojë urgjente për një model të ri menaxhimi, duke përfshirë vendosjen e pagesës (toll) dhe një kontratë të rregullt mirëmbajtjeje dhe menaxhimi.
Sipas Maliqit, gjendja aktuale e kësaj autostrade tregon qartë se mënyra se si po menaxhohet sot nuk po jep rezultate. Ai thekson se degradimi i cilësisë së rrugës është i dukshëm dhe se problemet do të vazhdojnë të shtohen nëse nuk ndërmerren masa konkrete.
“Autostrada ‘Ibrahim Rugova’ ka nevojë për taksë/toll dhe për kontratë mirëmbajtjeje dhe menaxhimi. Çkado që është duke u bërë sot qartazi nuk po funksionon. Rrëshqitjet e dheut kanë ndodhur edhe më herët, por degradimi i cilësisë së rrugës është i dukshëm dhe ka për të qenë gjithnjë e më shumë problem”, ka shkruar Maliqi.
Ai nënvizon se pa një qasje të qëndrueshme dhe profesionale në menaxhimin e infrastrukturës rrugore, autostrada rrezikon të përballet me dëmtime edhe më serioze në të ardhmen.




