Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot në audiencë nga Papa Leo XIV në Pallatin Apostolik në Vatikan, duke e cilësuar këtë takim si një ditë shumë të rëndësishme për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Selisë së Shenjtë.
Përmes një videomesazhi, Osmani shprehu shpresën që Vatikani të marrë vendimin e shumëpritur për njohjen e Republikës së Kosovës, duke theksuar se një hap i tillë do të kontribuonte në paqen dhe stabilitetin në rajon dhe në Evropë. “Paraqita shpresën dhe besimin e gjithë popullit të Kosovës që Vatikani më në fund të marrë vendimin për njohjen e Republikës së Kosovës”, deklaroi ajo.
Presidentja theksoi gjithashtu kontributin historik të Kosovës në krishterim dhe humanizëm, duke përmendur figura si Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Shën Tereza, si dhe rolin e Dardanisë në historinë evropiane.
Gjatë takimit, Osmani i përcolli Papës urimet e popullit të Kosovës për Krishtlindje dhe Vitin e Ri, si dhe e ftoi Papa Leon XIV të vizitojë Kosovën, me shpresën që një vizitë e tillë të realizohet sa më parë.




