Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur vizitën e saj në Vatikan, ku është takuar me Papa Leonin dhe Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinalin Pietro Parolin.
Lidhur me rëndësinë e kësaj vizite ka folur diplomati i karrierës dhe ish-ambasadori i Kosovës në Itali, Albert Prenkaj, i cili tha se vizita e Osmanit ka për qëllim kryesor kërkesën për njohjen e Kosovës nga Vatikani.
Sipas Prenkajt, vizita po zhvillohet në fund të vitit jubilar të shpallur nga Papa Françesku, i cili përfundon më 6 janar 2026, dhe është një audiencë private, ashtu siç kanë pasur edhe presidentët e mëparshëm të Kosovës.
Ai theksoi se çështja e mosnjohjes së Kosovës nga Selia e Shenjtë me gjasë është ngritur gjatë takimit, duke shprehur pritjen se në vitin 2026 mund të ketë lëvizje pozitive nga ana e Vatikanit drejt njohjes së Republikës së Kosovës.




