Nevenka Tromp, ish-hulumtuese për 12 vjet në Zyrën e Prokurorit të Tribunalit të Hagës, ka deklaruar se themelimi i Gjykatës Speciale për krimet e luftës në Kosovë nuk do të duhej të kishte ndodhur kurrë. Në një intervistë për Tëvë1, ajo tha se kjo gjykatë u krijua nën presion politik nga SHBA dhe BE, si koncesion ndaj Serbisë për ta mbajtur atë të përfshirë në Dialogun e Brukselit, e jo për shkak të peshës reale të pretendimeve penale.
Sipas Tromp, pavarësisht këtij kompromisi, Serbia u tërhoq nga dialogu, duke e bërë të pavlefshëm qëllimin politik të krijimit të gjykatës. Ajo foli edhe për dy skenarët e mundshëm të aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së: në rast lirimi, procesi do të shihej si humbje e madhe kohe dhe burimesh; ndërsa në rast dënimi, do të hapej debat i thellë mbi legjitimitetin e luftës çlirimtare, historinë e Kosovës dhe rrugën e saj drejt integrimit ndërkombëtar.
Tromp vlerësoi lart dëshmitë e dëshmitarëve mbrojtës, duke theksuar se UÇK-ja ishte një lëvizje rezistence dhe jo organizatë terroriste, fakt i dëshmuar edhe nga ndërhyrja e NATO-s. Ajo kritikoi ashpër koston e lartë të gjykatës – mbi 1 miliard euro që nga viti 2015 – për ndjekjen e vetëm gjashtë individëve, duke e quajtur procesin një nga eksperimentet më të shtrenjta dhe më pak produktive gjyqësore në historinë moderne.
Në fund, Tromp kujtoi se Tribunali i Hagës nuk e kishte cilësuar kurrë UÇK-në si Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale dhe paralajmëroi se një përfundim i tillë nga Dhomat e Specializuara do të ishte thellësisht shqetësues.




